ISIS kërcënon sërish Italinë
Romë, 25 gusht - Në mes të valës së emigrantëve, që nisen nga Libia e çdo ditë e më shumë po tentojnë të kalojnë Mesdheun për të zbarkuar më pas në Itali, ISIS ka kërcënuar sërish vendin fqinj.
Libia është porta për të arritur në Roma, kanë shkruar militantët e ISIS në Twitter, duke nisur një fushatë të re terrori, ku i bëjnë thirrje ndjekësve në Twitter që të shkojnë në Romë nëpërmjet Libisë.
Më parë Libia pati dhënë alarmin se mes emigrantëve ilegalë që kalojnë Mesdheun po fshihen luftëtarë të ISIS.
Autoritetet thonë se këtë informacion e kanë marrë nga vetë pronarët e mjeteve, në disa pjesë të Afrikës së Veriut të kontrolluara nga ISIS-I. Grupi ekstremist ua lejon trafikantëve vazhdimin e aktivitetit, por u merr në këmbim 50% të të ardhurave.