ISIS dyshohet të ketë përdorur armë kimike
Damask, 15 gusht - Shtetet e Bashkuara thonë se po shqyrtojnë nëse militantët e grupit Shteti Islamik përdorën armë kimike gjatë një sulmi këtë javë ndaj luftëtarëve kurdë në Irak, siç është njoftuar nga zyrtarët gjermanë.
Ministria gjermane e Mbrojtjes, e cila po stërvit kurdët, tha se rreth 60 luftëtarë Peshmerga pësuan lëndime nga armë kimike gjatë një beteje me grupin Shteti Islamik të mërkurën.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Alistair Baskey tha të enjten se Uashingtoni është duke kërkuar më shumë informacion mbi sulmin. \"Ne vazhdojmë ti konsiderojmë shumë seriozisht këto dhe të gjitha akuzat për përdorim të armëve kimike,\" tha ai.
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë këto njoftime.
Zyrtarë të tjerë amerikanë shkojnë edhe më tej, duke thënë se është e mundshme që ekstremistët islamikë ta kenë kryer këtë sulm me armë kimike.
Uashingtoni \"ka informata të besueshme\" se lënda kimike e përdorur gjatë sulmit ishte gaz mustard, që militantët ka gjasa se e kanë marrë në Siri, sipas një zyrtari të lartë të paidentifikuar amerikan i cituar nga gazeta The Wall Street Journal.
Zyrtari amerikan nuk ka dhënë ndonjë hollësi tjetër mbi sulmin e pretenduar ndaj luftëtarëve Peshmerga, të cilët janë një element kyç i fushatës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të larguar ekstremistët e Shtetit Islam nga Iraku dhe Siria.
Kjo nuk është hera e parë që Shteti Islamik është akuzuar për përdorimin e armëve të pazakonta. Raportet e kaluara nga agjencitë amerikane të zbulimit kanë sugjeruar se militantët përdorin gaz klorinë gjatë sulmeve.
Presidenti sirian Bashar al-Asad ka qenë gjithashtu i akuzuar për përdorurim të armëve kimike gjatë luftës civile mbi katër-vjeçare në vendin e tij, akuzë që ai e ka hedhur poshtë.
Qeveria siriane pranoi në vitin 2013 që të ketë vëzhgues ndërkombëtarë për të shkatërruar rezervat e deklaruara të armëve kimike. Ka dyshime se Damasku vazhdon të përdorë klorin, që nuk është pjesë e rezervave të deklaruara, për të sulmuar rebelët.
Agjencia Ndërkombëtare për monitorimin e armëve kimike, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, është krijuar për të përcaktuar nëse armët kimike janë përdorur në Siri.
Sipas një rezolute të miratuar javën e kaluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, një ekip i ekspertëve tani do të ketë autoritet për të identifikuar ata që kanë përdorur klorin dhe lëndë të tjera kimike në sulmet në Siri.