Ishujt Solomon njohin shtetin e Kosovës
Prishtinë, 13 gusht - Shteti i Ishujve Solomon ka marrë vendim zyrtar për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës nga Ishujt Solomon i është konfirmuar ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Njohja nga Ishujt Solomon e çon në 108 numrin e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, që e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Së shpejti do të arrijë edhe nota verbale e njohjes së Kosovës nga Ishujt Solomon, që përbën njohjen e 14 nga shtetet anëtare të Forumit të Ishujve të Paqësorit, ku bëjnë pjesë vendet e rajonit të Paqësorit.
Ministri Enver Hoxhaj, në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën, ka pasur kontakte dhe takime me homologun nga Ishujt Solomon, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtij shteti.
Ndër të tjera, ministri Enver Hoxhaj gjatë një turneu lobues në shtetet e Oqeanisë për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën, është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Ishujve Solomon, Clay Forau Soalaoi, duke kërkuar njohjen e pavarësisë nga shteti i tij.
Ishujt Solomon janë pjesë e një shteti sovran i cili shtrihet në një numër të madh të ishujve në Oqeani, ka mbi 500 mijë banorë dhe është anëtar i Kombeve të Bashkuara nga viti 1978.