Ish-Presidenti i Brazilit akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion
Rio de Zhanerio, 16 shtator - Ndaj ish-Presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, janë ngritur akuza për pastrim parash dhe korrupsion. Vetëm një muaj më parë, pasardhësja e tij, ish-Presidentja Rousseff, u shkarkua nga Kongresi brazilian.
Hetuesit federalë i njoftuan akuzat për zotin Lula dje si pjesë e hetimit për korrupsion në kompaninë shtetërore të naftës, Petrobras.
Ish-presidenti, bashkëshortja e tij dhe disa persona të tjerë akuzohen se kanë përfituar nga punimet në një resort bregdetar, të realizuara nga një kompani ndërtimi e lidhur me skandalin Petrobras.
Avokati i familjes da Silva foli për gazetarët dhe i mohoi akuzat:
Zoti Lula po akuzohet si kreu i një organizate kriminale, por ata harruan gjënë kryesore të paraqesin prova.
Skandali në fjalë solli edhe shkarkim nga detyra të pasardhëses, ish-Presidentes Dilma Rousseff, e zgjedhur po nga vetë zoti Lula. Kongresi i Brazilit ngriti akuza ndaj presidentes së parë grua të vendit, për shkelje të rregullave të buxhetit, ndërsa është rritur pakënaqësia ndaj saj për menaxhimin e reçesionit më të rëndë të vendit, që nga vitet 30-të.
Akuzat për zotin Lula do të paraqiten tani tek gjykatësi federal që është caktuar për çështjen Petrobras. Ai do të vendosë nëse zoti Lula do ti nënshtrohet proçesit gjyqësor.