IOM: 250 mijë azilkërkues në Europë gjatë këtij viti
Gjenevë, 15 gusht - Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) bëri të ditur se numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve që kanë mbërritur në Europë deri tani për këtë vit ka arritur rreth 250 mijë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i emigrantëve që mbërritën në Europë në vitin 2014 ishte 219 mijë.
IOM-i njoftoi se rojet bregdetare italiane dhe greke janë përballur me një fluks emigrantësh mbi 1,000 në ditë gjatë kësaj vere.
Sipas agjencisë së migracionit \"Missing Migrants Project\", të paktën 2,300 vetë kanë humbur jetën duke u përpjekur për të arritur në brigjet europiane.
Kanali i Siçilisë shihet si më i rrezikshmi, IOM bëri të ditur se rreth 102 mijë emigrantë kanë sfiduar kalimin nga Libia për të arritur në Itali këtë vit.
\"Situata në Mesdhe është tepër shqetësuese,\" tha drejtori i përgjithshëm i IOM-it William Lacy Swing.
IOM-i theksoi se fluksi i emigrantëve në Europë, veçanërisht në Itali është i përzier.
Disa prej emigrantëve u ikin konfliktit dhe persekutimit, disa të tjerë i largohen varfërisë dhe urisë.
Shifrat e fundit tregojnë se 237 mijë emigrantë kanë mbërritur deri tani në Europë, ndërkohë që kjo shifër parashikohet të rritet më shumë.