12 Janar 2025

Hungaria mbyll kufirin e Serbisë me BE-në

Budapest, 16 shtator - Në kufirin verior të Serbisë me Hungarinë vazhdon të shtohet numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë në anën tjetër.

Një gardh me tela të mprehtë po e pengon tani kalimin e tyre drejt Bashkimit Evropian. Ndërkohë, mes vendeve të BE-së ende nuk ka një marrëveshje për sistemimin e refugjatëve dhe emigrantëve që hyjnë në këto vende.

Sistemi i lëvizjes pa viza mes vendeve të Bashkimit Evropian, i vendosur dy dekada më parë, është tronditur për shkak të trysnisë së njerëzve që kërkojnë strehë nga lufta dhe varfëria.

Ndërkohë, Hungaria praktikisht mbylli kufirin për në BE dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në dy distrikte jugore, si pjesë e masave kundër emigrantëve që përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Familje me fëmijë të vegjël qëndrojnë ulur nën gardhin e ri 3.5 metra të lartë, i cili kalon nëpër gjithë gjatësinë e kufirit të jashtëm të BE-së me Serbinë. Qeveria e djathtë hungareze e përshëndeti këtë si fillimin e “një epoke të re,” ndërkohë që skenat të kujtojnë kohën e Luftës së Ftohtë.

Rregullat që hynë në fuqi në mesnatë parashikojnë që emigrantët të kthehen mbrapsht nëse kërkojnë azil dhe madje arrestimin e atyre që nuk e përfillin gardhin, i cili u kalua nga mijra njerëz kur ishte duke u ndërtuar.

Hungaria thotë se do t’i lejojnë refugjatët të kërkojnë azil. Por nën sistemin e ri, ata rrezikojnë të dëbohen brenda tetë ditëve për në Serbi, e cila nga Budapesti është deklaruar si vend i sigurt për refugjatët.

Një emigrant nga Afganistani, thotë se tani ata nuk e dinë se ç’duhet të bëjnë:

\"Ne duam të shkojmë në vende të tjera si Gjermania dhe Suedia. Ata e dinë se ne nuk do të qëndrojmë në vendin e tyre, por na i kanë mbyllur kufijtë... Ata thonë se kufiri është i mbyllur dhe asgjë tjetër. Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë. Nëse kthehemi do të vdesim, sepse është shumë larg. Ne kemi ardhur në këmbë deri këtu.”

Vërshimi i qindra mijëra emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia ka sjellë ndarje dhe akuza të ndërsjella në Evropë.

Këtë vit, të paktën 200.000 emigrantë kanë kaluar nga Hungaria për në vendet e tjera të BE-së. Kryeministri hungarez Viktor Orban, një nga kundërshtarët më të zëshëm të emigracionit, është zotuar se do ta ndalë vërshimin e të ardhurve.

Pritja e gjatë në kufirin hungarez, kërcënimet për burgim ose dëbimi i mundshëm për në Serbi mund të detyrojë shumë njerëz të kërkojnë rrugë të tjera.

Ata mund të shkojnë drejt Kroacisë në perëndim ose drejt lindjes në Rumani, që të dyja vende anëtare të BE-së sikurse Hungaria, por që nuk bëjnë pjesë në zonën Shengen të udhëtimit pa kufij.

Komisioneri Evropian për Migrimin, Dimitris Avramopulos shprehu shqetësim për ngërçin e tanishëm në Evropë, e cila nuk po arrin të gjejë gjuhë të përbashkët për risistemimin e të ardhurve.

\"Prisja më shumë mbështetje në emër të të gjitha vendeve anëtare. Shumica u tregua e gatshme dhe ndihmoi. Kemi rezultate pozitive. Por nuk jam aspak i kënaqur kur shikoj që disa vende të tjera mendojnë në mënyrë nacionaliste dhe jo evropiane.”

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, tha:

\"Një Evropë që mirëpret sirianët ndihmon për mposhtjen e Shtetit Islamik. Një Evropë që refuzon sirianët, veçanërisht për shkak se ata janë myslimanë, ndihmon propagandën e Shtetit Islamik. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kjo është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë tonë globale në Evropë.\"

Kancelarët e Gjermanisë dhe Austrisë bënë thirrje sot në Berlin për mbajtjen e një takimi të veçantë të nivelit të lartë të BE-së për çështjen e vërshimit të emigrantëve në Evropë.

\"Ky problem mund të zgjidhet vetëm nga Bashkimi Evropian në tërësinë e tij. Kjo është përgjegjësi e krejt BE-së dhe prandaj ne ramë dakord për mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë të BE-së javën tjetër,” tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

\"Si mund t’i ndihmojmë ne më mirë vendet nga vijnë refugjatët? Këtu është e nevojshme një përpjekje e madhe e BE-së. Së dyti, si mund të punojmë më nga afër me Turqinë?\"

Sot, njëzet e dy emigrantë u mbytën dhe 200 të tjerë u shpëtuan, pas përmbysjes së një varke në detin Egje, përballë vendpushimit turk të Bodrumit. Varka me sa duket ishte nisur drejt Greqisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)