HRW: Të drejtat e njeriut shënuan përmirësim në Kosovë
Gjenevë, 22 janar - Në raportin 676-faqesh, organizata Human Rights Watch ka vlerësuar përparimin e të drejtave të njeriut gjatë vitit të kaluar në më shumë se 90 vende të botës.
Raporti dokumenton abuzime me të drejtat e njeriut në mbarë botën, përfshirë: shkelje të ligjeve të luftës në Libi dhe Afganistan, censurë të internetit në Iran dhe Tajlandë, probleme me zgjedhjet në Rusi, keqtrajtime të emigrantëve në Evropën Perëndimore, shtypje të lirisë fetare në Indonezi dhe Arabinë Saudite, tortura në Pakistan dhe Uzbekistan, si dhe dënime pa gjyq në Malajzi dhe nga SHBA-ja.
Sa i përket Kosovës, raporti vlerëson se situata e të drejtave të njeriut ka shënuar përmirësim të vogël gjatë vitit 2011.
Sistemi i drejtësisë, sipas këtij raporti, mbetet i dobët, me gjithë përpjekjet për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për korrupsion dhe për krime lufte.
Zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 2010 nuk kanë shënuar ndonjë incident të dhunshëm, por janë dëmtuar nga parregullsitë që i kanë bërë vëzhguesit ndërkombëtarë t`i vënë në pikëpyetje rezultatet, thuhet në raport.