Hoxhaj: Letonia partnere evropiane e Kosovës
Riga, 30 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka filluar vizitën zyrtare në Letoni, ku po qëndron me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Në vizitën e parë si ministër i Jashtëm në këtë shtet, ministri Hoxhaj është pritur nga homologu i tij, Edgars Rinkēvičs, të cilin ka njoftuar për progresin e gjithanshëm në Kosovë.
Hoxhaj ka folur për bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve duke shprehur vullnetin dhe interesimin e Qeverisë së Kosovës për shkëmbime edhe më të fuqishme në fusha të ndryshme të ekonomisë, të arsimit dhe të teknologjisë si dhe në sferën e kulturës.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj dhe ministri Rinkēvičs kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e kulturës, e cila pritet të thellojë shkëmbimet e gjithanshme në këtë aspekt, ndërmjet dy shteteve.
Dy ministrat kanë diskutuar edhe për organizimin e një forumi ekonomik si dhe për nënshkrimin e disa marrëveshjeve kyçe në fushën e investimeve dhe mbrojtjes se tyre si dhe çështje të tjera të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Letonisë.
Kemi biseduar edhe për agjendën evropiane të Kosovës, ku unë kam kërkuar mbështetjen e Letonisë që Kosova të fillojë negociatat in për Marrëveshjen e Stabilizimi Asocimit si dhe mbështetjen e Letonisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ka thënë Hoxhaj.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs, ka thënë se vendi i tij është një mbështetës i fuqishëm i Kosovës në agjendën evropiane duke shprehur përkrahjen e Letonisë që Kosova të fillojë negociatat për marrëveshjen e Stabilizimi Asocimit dhe që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në Evropë.
Hoxhaj dhe Rinkēvičs kanë biseduar edhe për situatën politike në Ballkanin perëndimor, me çrast ministri Hoxhaj ka ofruar vizionin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe progresit në rajon.
Dy ministrat kanë biseduar edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për agjendën kohore dhe përmbajtjesore të këtij procesi.
Në këtë segment, Hoxhaj ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të ketë rezultate konkrete dhe implementim të marrëveshjeve në këtë proces.