08 Janar 2025

Hooper: Propozoj një Plan të Merkelit për veriun

Washington, 16 shkurt - "Unë propozoj një Plan të Merkelit për veriun.Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte e gatshme të shkojë në Berlin dhe të shprehë gatishmërinë për një marrëveshje, e në bazë të kësaj marrëveshjeje, Serbia do të duhej të lejonte Kosovën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara".

Kështu është shprehur ish-diplomati amerikan, James Hooper, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë duke theksuar se falë kësaj marrëveshje nuk do të kishte më bllokada, nuk do të kishte më veto nga Rusia.

"Në këmbim, Kosova do të ishte e gatshme të pranojë një plan të gjerë dhe autonom për veriun, por gjithnjë në korniza të asaj çfarë ka thënë zonja Merkel gjatë vizitës së saj të mëhershme në Beograd dhe me rastin e vendimit që u mor për statusin e kandidatit për Serbinë; përderisa sovraniteti i Kosovës në veri respektohet, Prishtina do të ishte zemërgjerë për t`i dhënë veriut një shkallë më të gjerë autonomie dhe mendoj se ky do të ishte Plani i Merkelit."

"​​Unë e shoh në këtë mënyrë dhe ky do të ishte propozimi im. Qeveria e Kosovës ka llogari të jetë zemërgjerë dhe të them sinqerisht, ka llogari të jetë zemërgjerë edhe ndaj kancelares Merkel, për t’i dhënë asaj shansin që ta ndërmjetësojë një marrëveshje të tillë" ka theksuar Hooper.

Lidhur me çështjen e referendumit në veri, Hooper ka theksuar se ai është një veprim që ka një ndikim të caktuar. Sipas tij me anë të këtij referendumi i dërgohet një mesazh komunitetit ndërkombëtar, se komuniteti serb në atë pjesë nuk është i gatshëm të tregojë fleksibilitet, nuk është i gatshëm të ofrojë mbështetje, të ndihmojë dhe të ketë mirëkuptim për bisedimet teknike, të cilat Bashkimi Evropian po i zhvillon.

"Gjithashtu mendoj se në këtë formë, Serbia është e paaftë, ose jo e gatshme, që ta kontrollojë këtë çështje, gjë që nënkupton se kushtet që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka vënë për statusin e kandidatit për Serbinë, nuk janë përmbushur ende.

Vota e serbëve të Kosovës në veri - dhe të gjithë e dimë se cili do të jetë rezultati - nuk do të ketë rëndësi brenda në Kosovë, por do të ketë në Bruksel dhe Berlin, sikurse edhe në Beograd" ka shtuar ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)