Hollande president i Francës, Sarkozy pranon humbjen
Paris, 7 maj - Me një fjalim prekës para mbështetësve të tij, Nicolas Sarkozy deklaroi se Franca do të ketë nga sot një president të ri, François Hollande.
Presidenti francez në detyrë, Nicolas Sarkozy pranoi sot humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale duke përshëndetur kundërshtarin e tij socialist, François Hollande si presidentin e ri, gjatë një deklarate publike.
Franca ka një president të ri republike. François Hollande është presidenti i ri i Francës dhe duhet respektuar, u deklaroi simpatizantëve të tij Sarkozy në Paris.
Nicolas Sarkozy u kërkoi zyrtarëve më të lartë të partisë së tij UMP të qëndronin të bashkuar dhe konfirmoi se nuk do ta drejtonte partinë e tij në zgjedhjet parlamentare të qershorit, sipas pjesëmarrësve të një takimi me presidentin në pallatin Elysee.
Mos u përçani, qëndroni të bashkuar. Ne duhet ti fitojmë zgjedhjet legjislative. Ato mund ti fitojmë. Rezultati i sotëm na nderon. Unë nuk do ta drejtoj këtë fushatë, deklaroi Sarkozy.