Holanda merr Presidencën e Bashkimit Europian
Bruksel, 2 janar - Holanda mori më 1 janar Presidencën e radhës së një Bashkimi Europian të lodhur nga përballja me valën më të madhe të emigracionit, që prej Luftës së Dytë Botërore; hijen e terrorit me kërcënimet e sigurisë gjithmonë e më të pranishme në kontinentin e vjetër; si dhe rritjen shqetësuese të ekstremit të djathtë.
Sfidat nuk janë të vogla dhe për Holandën, e vendosur ta mbajë bllokun të bashkuar, e gjithë kjo sipërmarrje ka për të qenë një sprovë e vërtetë. Është hera e 12, që ajo merr përsipër drejtimin gjashtëmujor të Presidencës së Këshillit të Ministrave të 28 vendeve anëtare, por as që bëhet fjalë për rutinë në sfondin e gjendjes së unionit.
Në kohët e kërcënimit nga terrori dhe të valës së refugjatëve, duhet që BE-ja të mbahet e bashkuar, paralajmëroi qeveria holandeze në dokumentin parimor të paraqitur lidhur me Presidencën. BE-ja është përpara një testi tepër të vështirë, thuhet aty.
Fluksi i emigrantëve, kërcënimi terrorist dhe ndryshimet gjeopolitike në Lindje po i krijojnë ngërçe të mëdha Bashkimit Europian, çfarë nxjerr në pah mes të tjerash edhe rrezikun e një fragmentimi të tij.
Që Presidencës holandeze do ti duhet të përballet me 6 muaj aspak të lehtë, këtë e pohoi hapur edhe shefja e Diplomacisë europiane, Federica Mogherini, gjatë vizitës së fundit në Hagë. Ndër prioritetet e kësaj presidence, Holanda ka renditur emigracionin dhe sigurinë, inovacionin e krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e financave e të Eurozonës në përgjithësi, si dhe përparësitë për politikat e klimës dhe energjisë.
Është detyra jonë ta ndihmojmë BE-në të gjejë zgjidhje të përbashkëta në këto kohë të trazuara, thuhet në raport. E megjithatë, vendi europiano-verior përballet me pakënaqësi e përplasje edhe brenda kufijve të vet.
Euroskepticizmi ka marrë hov në Holande nën flamurin e zërit më të ndezur kundër emigracionit dhe Islamit, politikanit kontrovers Geert Wilders. Nga ana tjetër, fiks në mesin e Presidencës së saj të BE-së, do ti duhet të përballet edhe me një referendum tepër të ndjeshëm kombëtar.