Hillary Clinton shpall kandidaturën për Presidente
Washington, 12 prill - Ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton ka shpallur sot kandidaturën e saj për garën presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo është favoritja e shumë grupeve të grave, të rinjve dhe për momentin pretendentja më e fortë e kampit demokrat.
Shtatë vjet më parë, ajo e filloi garën si kandidatja favorite, dhe këtë radhë ndoshta edhe më shumë. Në pjesën më të madhe të anketimeve, Hillary Clinton është 50 pikë përpara kandidatit demokrat më të afërt.
Ish-aspirantja për presidente e vitit 2008, rikthehet në garë pas disa dekadash në jetë publike, si zonjë e parë, si senatore e Shteteve të Bashkuara, dhe si sekretare shteti me Presidentin Obama.
Me emrin e saj të mirënjohur në politikë, Hillary Clinton është konsideruar prej kohësh si kandidatja kryesore e demokratëve për vitin 2016, duke patur kështu një numër të kufizuar sfidantësh politikë.
Në një video në faqen e saj, zonja Klinton deklaroi: \"Unë jam duke kandiduar për president\".
\"Amerikanët janë përpjekur për tu këndellur nga kohët e vështira ekonomike\", tha ajo.
\"Çdo ditë amerikanët kanë nevojë për një kampion dhe unë dua të jem ajo kampione\", shtoi ajo.
Zonja Clinton ishte edhe zonja e parë kur burri i saj Bill Clinton ishte president.