12 Janar 2025

Hammond: Kosova duhet të themelojë Gjykatën Speciale

Londër, 16 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua në Londër me sekretarin e jashtëm britanik, zotëri Philip Hammond, me të cilin bisedoi për sfidat e vendit në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, përballjen me kërcënimet ekstremiste, rrugën evropiane të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj, përmes tërheqjes së investitorëve të huaj.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, që e ka ndihmuar Kosovën në procesin e ndërtimit të paqes dhe të shtetësisë së saj. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar që të ndërtojë një shoqëri demokratike e gjithëpërfshirëse dhe të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ajo tha se sundimi i ligjit dhe rendit dhe ndërtimi i një shtetit të së drejtës janë përparësi të shoqërisë në vend.

Presidentja Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj besojnë në parimin e drejtësisë  për të gjithë dhe se shpreson se institucionet e vendit do të gjejnë së shpejti mundësinë për të përmbushur obligimet ndërkombëtare duke votuar për krijimin e Gjykatës Speciale, që do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës, duke shmangur një hap që do të mund të ndërmerrej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara për dialogun por ritheksojnë rëndësinë e zbatimit të plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzimit të rrugës evropiane të Serbisë me zbatimin e tyre. Ajo tha se Serbia po vazhdon të mbështesë strukturat ilegale të sigurisë në Kosovë, të cilat sipas marrëveshjeve do të duhej të shpërbëheshin.

Ajo tha se në procesin e dialogut duhet pasur kujdes që të mos lejohet ndarja ne vija etnike, që të mos krijohet një pushtet i tretë në vend ose një shtrirje e institucioneve të Serbisë në Kosovë.

Ajo tha se dialogu duhet të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve dhe të relaksojë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, që do të lehtësojë edhe jetën e qytetarëve por do të hap rrugën edhe të integrimeve evropiane për të dyja vendet.

Presidentja Jahjaga theksoi se rruga evropiane e Kosovës, sikundër edhe i gjithë rajonit të Ballkanit, duhet të jetë e qartë dhe e sigurt, për të mos lejuar ndikime të tjera të jashtme dhe theksoi se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj me shtetet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane.

Sekretari i jashtëm britanik, zotëri Philip Hammond, shprehu mbështetjen e qeverisë së Britanisë së Madhe për Kosovën, në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës dhe një shteti të së drejtës, me përkushtimin për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe në luftën kundër korrupsionit.

Ai tha Kosova duhet të bëjë çmos për të përmbushur obligimet e saj ndërkombëtare dhe të themelojë Gjykatën Speciale, për të shmangur proceset në organizata të tjera ndërkombëtare.

Sekretari Hammond tha se Britania e Madhe mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu edhe proceset integruese në BE të gjithë rajonit të Ballkanit.    

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)