Haliti e Bajrami në konferencën e Komisioneve Parlamentare të BE-së
Bruksel, 1 qershor - Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Xhavit Haliti, si dhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Integrime Evropiane, Valdete Bajrami, po marrin pjesë në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje të Unionit të Parlamenteve të Bashkimit Evropian -COSAC, që po mbahet në Riga të Letonisë.
Kjo konferencë do të zgjasë tri ditë.
Duke pasur parasysh që në COSAC marrin pjesë Komisionet Parlamentare për Çështjet e Unionit të Parlamenteve të Bashkimit Evropian, si dhe në cilësinë e vëzhguesit marrin pjesë edhe Komisionet parlamentare të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përfaqësees të Komisionit për Integrime Evropiane i Republikës së Kosovës janë të ftuar si mysafir special nga Komisioni homolog i Parlamenti të Letonisë. Republika e Letonisë mban Presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.
Temat kryesore të kësaj konference janë: politikat e energjisë së Bashkimit Evropian-sfidat dhe mundësitë; çështjet e sigurisë në lindjen e mesme; politikat tregtare të Bashkimit Evropian për pesë vitet e ardhshme, si dhe e ardhmja e shqyrtimit parlamentar të çështjeve të Bashkimit Evropian.
Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Integrime Evropiane, znj. Valdete Bajrami, në takimet që pati me udhëheqës dhe anëtarë të delegacioneve të parlamenteve potencoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe reformat ekonomike në proceset integruese të vendeve të rajonit.
Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, z. Xhavit Haliti në takime të ndryshme ka diskutuar për rendësinë e fqinjësisë së mirë të shteteve të rajonit dhe rëndësinë e agjendës së integrimeve evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast, Bajrami dhe Haliti zhvilluan takime të ndërsjella me homologët e tyre, me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisioneve parlamentare për Çështje të Bashkimit Evropian.