Haliti dhe Dërguti vazhdojnë takimet në Strasburg
Strasburg, 23 qershor - Haliti dhe Dërguti realizuan sot takime të rëndësishme me delegacionin e Britanisë së Madhe dhe atë të Suedisë, pjesëmarrës në këtë sesion. Përfaqësuesve të vendit tonë iu premtua mbështetje drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjatë qëndrimit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në punimet e Sesionit të tretë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasbourg të Francës, është vazhduar me pjesëmarrje në punimet e Sesionit dhe mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës i udhëhequr nga z.Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe znj.Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, sot është takuar me Sir Roger Gale shef i Delegacionit të Britanisë së Madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe nënkryetar i Byrosë.
Gjatë këtij takimi, delegacioni i Kosovës i kërkoi delegacionit britanik mbështetje në avancimin e statusit të delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në bazë të rezolutës të Këshillit të Evropës 2094 (2016), Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Evropës.
Ndërsa udhëheqësi i delegacionit të Britanisë së Madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Sir Roger Gale premtoi se delegacioni i Britanisë së Madhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Po ashtu, sot, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka zhvilluar takim me z. Jonas Gunnarsson, udhëheqës i delegacionit të Suedisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjatë këtij takimi, delegacioni i Kuvendit të Kosovës e falënderoi delegacionin e Suedisë për kontributin e dhënë, mbështetjen dhe prezantimin e amendamenteve në interes të Kosovës, ndërsa z. Gunnarsson ofroi përkrahjen e tyre në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.