Gjykata vendos pezullimin e zbatimit të dekretit të Trumpit
Washington, 5 shkurt - Gjykatësi federal i Gjykatës së Distriktit Perëndimor të Washingtonit James Robart vendosi të premten pezullimin e dekretit të presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e hyrjes së refugjatëve dhe pjesëtarëve të disa grupeve të tjera në territorin amerikan.
Të shtunën, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare publikoi një deklaratë, ku shpalli pezullimin e dekretit të Trumpit.
Në deklaratë thuhet se, meqë është vendimi i një gjykate federale, zbatimi i dekretit presidencial do të pezullohet menjëherë dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të rifillojë zbatimin e metodës së mëparshme të kontrollit ndaj vizitorëve që hyjnë në ShBA.
Mediat njoftojnë që, pas vendimit të Robart-it, autoritetet doganore dhe kufitare kanë njoftuar natës e së premtes kompanitë kryesore ajrore të ShBA-së të rifillojnë punën normalisht. Të shtunën, në fluturimet e këtyre kompanive për në SHBA janë pranuar udhëtarët që ndaloheshin nga dekreti i Trumpit të hynin në ShBA.
Edhe Departamenti i Shtetit u shpreh se ka pezulluar vendimin për tërheqjen e afro 600 mijë vizave, të marrë mbështetur në dekretin e presidentit Trump.