Gjuriq: Prishtina nuk po e zbaton marrëveshjen e Brukselit
Beograd, 3 prill - Drejtori i Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka deklaruar se problemi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka ndodhur për shkak të mos respektimit të dinamikës.
Ai konsideron se Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta, ndërsa Prishtinës i kanë mbetur për realizim gjashtë pika të Marrëveshjes.
\"Kemi situatë absurde që Serbia ka zbatuar të gjitha pikat, nga 7-15, e gjashtë pikat e para as që janë prekur pasi Prishtina nuk i zbaton\", ka thënë Gjuriq.
Ai ka thënë se Serbia se ka ndër mend të heqë dorë nga krijimi i Asociacionit serb të komunave duke shtuar se ky asociacion është rrugë për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve ndërmjet serbëve e shqiptarëve.
Gjuriq ka pasur sot takim me prefektët dhe me kryetarë e të ashtuquajturve organe të përkohshme në Kosovë dhe atyre u ka thënë se Mitrovica është Serbi dhe Serbia do të mbetet aty.