Gjuriç: Thaçi nuk ka marrë leje për vizitën
Beograd, 18 prill - Drejtori i Zyrës për Kosovën i qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar sot se zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka kërkuar zyrtarisht miratimin e vizitës në Beograd dhe ka vlerësuar se paralajmërimi i ardhjes së tij është si stuhi në gotën e ujit.
Zoti Thaçi nuk ka kërkuar leje për vizitë, e as Serbia nuk organizon kurrfarë takimi, në të cilin Thaçi do të mund të merrte pjesë, e as që një tubim të tillë e organizon bashkësia ndërkombëtare, tha Gjuriç për Radio Televizionin e Serbisë, dhe ka shtuar se fjala është për një stuhi në gotën e ujit ose shmangie e vëmendjes nga temat më të rëndësishme.
I pyetur se cili do të ishte reagimi i Beogradit, sikur Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, të arrinte në Serbi për të marrë pjesë në një tubim joqeveritar, i cili do të mbahet të dielën ardhshme, Gjuriç tha se ai do të trajtohej si çdo qytetar i Serbisë.
Edhe në këtë kuptim, ky qytetar yni do të ishte lëndë e punës së institucioneve të caktuara, në harmoni me ligjin tonë, tha Marko Gjuriç.