Franca kryen sulmin e parë ajror në Irak
Bagdad, 19 shtator - Të premtën, Franca ka bërë sulmin e parë ajror ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Irak.
Pas më shumë se një dekade, kur Parisi, ka refuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2003, për të sulmuar Irakun, tani Franca është bërë shteti i parë që i ka thënë Po SHBA-së, për tu bashkuar në fushatën e sulmeve ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Këtë mëngjes në ora 09:40, aeroplanët Francez kanë bërë sulmin e parë në një depo logjistike të terroristëve të IS, ka njoftuar Presidenti francez, Francois Hollande.
Ministria e Mbrojtjës së Francës, ka thënë se kanë lëshuar bomba në zonën e Mosulit, ku kanë arritur që të shkatërrojnë municione të militantëve të IS.
Në anën tjetër sulmet ajrore amerikane kanë vepruar deri në 170 herë, nga 8 gushti, kur Presidenti amerikan, Barack Obama, ka kërkuar që të ndërtojë një koalicion të gjërë ndërkombëtarë për të sulmuar militantët e IS.