Franca kërkon sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut
Paris, 4 gusht - Franca i kërkoi të enjten Këshillit të Sigurisë të OKB-së që të miratojë në ditët në vijim sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, ndërkohë që diskutimet mes fuqive të mëdha duket se po përparojnë në këtë drejtim.
"Franca kërkon një rezolutë me sanksione të reja dhe të forta në ditët në vijim", deklaroi para gazetarëve ambasadori francez në OKB, François Delattre.
Bisedimet për një rezolutë të re kanë filluar para një muaji mes ShBA-së dhe Kinës për të sanksionuar Korenë e Veriut pas provës së parë të një rakete ndërkontinentale më 4 korrik.
Perëndimorët konsiderojnë se zhvillimi i raketave balistike ndërkontinentale nga Pheniani përbën një kërcënim për sigurinë botërore.