Estonia mbështet anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Ministri Çollaku e falënderoi ministren Kaljurand për mbështetjen që Estonia i ka dhënë Kosovës në shumë sfera, me theks të veçantë përmes prezencës dhe kontributit në misionin e KFOR-it dhe EULEX-it si dhe për përkrahjen ndaj agjendës evropiane të Kosovës.
Lidhur me agjendën evropiane, ministri Çollaku e njoftoi më në detaje ministren Kaljurand rreth progresit të arritur, duke nënvizuar se Obligimet janë përmbushur dhe tani presim konkretizimin e punës sonë në drejtim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) si dhe rekomandimin pozitiv për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Po ashtu ministri Çollaku, ka përsëritur qëndrimin se çelës i stabilitetit dhe zhvillimit në Kosovë dhe rajon është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Më tej ministri ka deklaruar se Kosova do të ndjek shembullin e Estonisë për integrim në BE dhe në NATO.
Ministrja Kaljurand, përgëzoi ministrin Çollaku, për progresin që ka bërë Kosova në drejtim të agjendës evropiane si dhe për vendimet e institucioneve të Kosovës të cilat përbëjnë një hap të rëndësishëm në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës.
Kryediplomatja estoneze rikonfirmoi, qëndrimin mbështetës të shtetit të saj në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimit të vizave si dhe përkrahje të fuqishme ndaj procesit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Gjatë takimit palët u dakorduan mes tjerash edhe për forcimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve sidomos në fushën e inovacionit dhe qeverisjes elektronike, segment ky në të cilin Estonia vazhdon të mbetet vend model.
Gjatë vizitës në Talin, ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku ka zhvilluar edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë të këtij shteti.