Engel: Përfitimet e Kosovës nga marrëveshja, më të mëdha se humbjet
Prishtinë, 3 mars - Në një intervistë për për Zërin e Amerikës, ligjvënësi nga New Yorku, Eliot Engel, tha se përfitimet e Kosovës nga marrëveshja me Serbinë mbi përfaqësimin e saj në forumet rajonale dhe ndërkombëtare janë më të mëdha se sa humbjet.
\"Mua nuk më pëlqen rezoluta 1244. Mendoj se ajo nuk ishte rezolutë e mirë. Por duhet të shihet konteksti. Marrëveshja nuk përmend vetëm rezolutën 1244, ajo merr parasysh edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas të cilit Deklarata e Pavarësisë e Kosovë nuk është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Prandaj unë mendoj se nëse marrëveshja shihet nga ky kontekst, ajo është një plus i madh për Kosovën. I jep Kosovës përfaqësim si një shtet dhe entitet i pavarur\", ka theksuar Engel.
Në thelb, ai thotë se do ta shikoj atë si mënyrë që detyron Serbinë të pranojë Kosovën si shtet të pavarur sepse kemi dy shtete të cilat flasin me njeri tjetrin, pra Serbia dhe Kosova.
\"Kështu që unë mendoj se në çdo marrëveshje të madhe nuk merr dot 100 për qind të asaj që dëshiron, përpiqesh të marrësh 100 përqind, por asnjëra palë nuk merr gjithçka. Unë mendojë se ne tërësi kjo është një marrëveshje e mirë për Kosovën\", pohoi ai.
Ai tha se do të dëshironte që Serbia dhe Kosova të anëtarësohen së bashku në Bashkimin Evopian.
\"Unë nuk jam i gëzuar që Serbia tani mori statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian. Unë nuk jam kundër anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse një ditë edhe Kosova do të bëhet anëtare e BE-së dhe BE-ja është mënyrë e mirë që vendet të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin ndërkohë që kufijtë nuk janë aq të rëndësishëm kur vendet anëtarësohen në BE\", theksoi Engerl.
\"Por, në një kohë kur Kosova po mbahet jashtë OKB-së kryesisht për shkak të Serbisë dhe kur, sipas mendimit tim, Serbia nuk po bën atë që duhet ose nuk vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet me Kosovën, unë nuk do ta shpërbleja Serbinë. Unë do të doja që Kosova dhe Serbia së bashku të bëhen anëtare të BE-së.\"
Por ai tha se tani duhet të sigurohemi që mundësitë të jenë të hapura që një ditë edhe Kosova të bëhet anëtare e BE-së.
\"Duhet të sigurohemi që Serbia nuk do të jetë e aftë të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE ashtu siç e ka bllokuar Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së. Prandaj unë mendoj se këto gjëra janë të rëndësishme.\"