Edhe Maqedonia rrit masat e sigurisë ndaj terrorizmit
Shkup, 22 nëntor - Në Maqedoni janë shtuar masat e sigurisë pas sulmeve me bomba në Paris dhe incidenteve në disa vende të rajonit.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se ka shtuar masat e sigurisë në disa objekte të caktuara dhe në disa pika kyçe përgjatë vendit.
Nga MPB thonë se ata kanë ndërmarrë këto hapa në pajtueshmëri me planin për përforcimin e masave dhe aktiviteteve në rajonin e Shkupit dhe tashmë veç po veprohet sipas tij.
Pas vendimit të tillë të Ministrisë së Brendshme nëpër kryeqytet mund të vërehen forca të shtuara të policisë dhe patrullime sistematike të zyrtarëve policorë.
Ky vendim i MPB-së erdhi pas sulmeve me bomba që ndodhën në Paris gjatë të cilave humbën jetën 132 persona dhe pas sulmit terrorist në Sarajevë, ku mbetën të vrarë 2 ushtarë të Bosnjë dhe Hercegovinës.