Donald Trump, njeriu i vitit nga revista Time
Washington, 8 dhjetor - Revista Time shpalli presidentin e zgjedhur Donald Trump si Njeriun e Vitit. Revista përmend si motivacion ndikimin që për mirë apo për keq ai pati gjatë gjithë vitit 2016.
Në një intervistë telefonike që dha për programin Today të rrjetit NBC, zoti Trump e quajti këtë një nder të madh.
Është një revistë shumë e rëndësishme dhe jam me shumë fat që kam qenë shumë herë në kopertinën e saj këtë vit, tha zoti Trump.
Kryeredaktorja e revistës, Nancy Gibbs shkruante se është e vështirë të masësh shkallën e tronditjeve që shkaktoi zoti Trump në skenën politike. Ajo u kujtonte lexuesve se redaktorët e revistës e zgjedhin njeriun e vitit bazuar mbi ndikimin që ata kanë tek lajmet.
Trump mposhti 10 konkurrentë të tjerë për këtë titull, duke përfshirë rivalen e tij në zgjedhje Hillary Clinton, e cila doli në vend të dytë. Vitin e kaluar, titullin e mori kancelarja gjermane Angela Merkel, ndërsa zoti Trump vinte menjëherë pas saj.