Diskutohen interesat e dyanshme mes Kosovës dhe Kroacisë
Gjatë këtyre takimeve u prezantuan projektet aktuale të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, për bashkatdhetarët e të dy vendeve, ku u shkëmbyen përvojat në projektet si mësimi plotësues në gjuhën amtare, ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar, si dhe promovimi dhe avansimi i të drejtave socio-politike të diasporës.
Në takimin me znj. Krsticevic, ministri Murati u njoftua për së afërmi me modalitetet e punës së kësaj zyre, procedurën e miratimit të Ligjit për Kroatët jashtë vendit si dhe me punën e Këshillit Qeveritar të Kroatëve jashtë Kroacisë.
Ministri Murati e falenderoi znj. Krsticevic për pritjen. Pasi e njoftoi për punën dhe projektet e Ministrisë së Diasporës, të dy palët shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, posaçërisht në fushën e shkëmbimit të përvojave dhe adresimit të sfidave që paraqiten në raport me diasporën.
Gjatë pasdites, Ministri i Diasporës, Murati takoi edhe Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Sportit, prof. Vedran Mornar, me të cilin u diskutua edhe situata aktuale mbi mësimin plotësues të gjuhës shqipe për bashkatdhetarët që jetojnë në Kroaci, ndërsa u diskutua mundësia e bashkëpunimit në këtë fushë për të ngritur numrin e nxënësve të gjuhës shqipe në shkollat në Kroaci.
Ministri Mornar, falenderoi Murati për vizitën, ndërsa kërkoi nga Ministria e Diasporës qe të ndihmojë në dërgimin e më tepër teksteve shkollore për nxënësit e gjuhës shqipe.
Ministri i Diasporës, Murati ftoi Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Sportit që në një të ardhme të afërt të vizitojë Republikën e Kosovës, ndërsa që të dy u dakorduan për mbështetje reciproke në fusha si sporti dhe shkenca.