Diaspora do të përkrahet edhe nga Ministria e Kulturës së Kroacisë
Zagreb, 2 shkurt - Ministri i Diasporës, Valon Murati në përmbyllje të vizitës së punës në Republikën e Kroacisë, ka takuar zëvendës Ministrin e Kulturës të Kroacisë, prof. Berislav Shupic, me të cilin u diskutua rreth bashkëpunimit të të dy shteteve dhe Ministrive përkatëse në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, gjuhës dhe identitetit kombëtar, si dhe mundësisë së inicimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për hapjen e Qendrave Kulturore të Kosovës dhe Kroacisë në dy vendet.
Ministri Murati e njoftoi zëvendës Ministrin mbi objektivat e Ministrisë së Diasporës në fushën e ruajtjes dhe promovimit të kulturës në diasporë dhe integrimit të mërgatës në shtetet ku jetojnë dhe veprojnë, duke theksuar nevojën e shkëmbimit të përvojave të mira në këtë fushë që rezulton në benefit të komunitetit shqiptar që jeton në Kroaci.
Në anën tjetër, Ministri Murati u njoftua nga kolegët e tij të Qeverisë së Republikës së Kroacisë për punën që po bëhet në nënshkriminin e memorandumit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit kulturor, e ku Ministria e Diasporës është e gatshme të ofrojë inputet e veta për të ndihmuar komunitetin shqiptar në Kroaci.
Gjithashtu zv.ministri Shupic ofroi asistencën e Ministrisë së Kulturës të Kroacisë në angazhimin e Institutit për Restaurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore për ngritjen e kapaciteteve të Republikës së Kosovës në këtë fushë.