Deri në fund të vitit vendimi final për liberalizimin e vizave
Bruksel, 14 korrik - Zëvendësministri për Integrim Evropian z.Ramadan Ilazi po qëndron në Bruksel për një vizitë pune së bashku me delegacionin nga Kosova në përbërje të së cilit janë, shefi i kabinetit i Kryeministrit, z. Sokol Havolli, këshilltari i lartë i Ministrit Çollaku, z. Fisnik Rexhepi dhe sekretari i Përgjithshëm në Ministrin e Integrimit Evropian z.Demush Shasha.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendësministri Ilazi, sot ka takuar zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian znj.Ulrike Lunacek njëherësh raportuese për Kosovën si dhe Eurodeputeten znj. Tanja Fajon, raportuese për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu delegacioni nga Kosova ka takuar edhe drejtorin e Përgjithshëm të Drejtoratit për Zgjerim z.Christian Danielson si dhe ka zhvilluar takime bilaterale me zyrtarë të Qeverisë belge.
Gjatë këtyre takimeve delegacioni ka diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave, zbatimin e MSA-së si dhe dakordimin e prioriteteve kyçe të agjendës evropiane të Republikë së Kosovës që do të mundësojnë vazhdimin e reformave dhe avancimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Zëvendësministri Ilazi duke prezantuar prioritetet e Kosovës, theksoj se deri në fund të këtij viti presim që të kemi vendimin final për liberalizimin e vizave, takimin e parë të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe nënshkrimin e marrëveshjes kornizë për qasje në programet e Bashkimit Evropian.
Ne presim që Bashkimi Evropian, sikurse ka bërë deri tani, të vlerësoj pozitivisht progresin e Kosovës duke e shoqëruar me vendime meritore për liberalizimin e vizave në një të ardhme të afërt. Kosova është e përkushtuar të vazhdoj agjendën e reformave evropiane duke e shfrytëzuar MSA-në si platformë të duhur në këtë drejtim, deklaroi zëvendësministri Ilazi.
Gjatë ditës delegacioni do të ketë takime në Drejtoratin për Punë të Brendshme të Komisionit Evropian si dhe me Kabinetin e Komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn.