Deputetët u takuan me përfaqësuesit e Këshillit të pakicave
Zagreb, 18 maj - Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kroaci, delegacioni i Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, i kryesuar nga Jasmina Zhivkoviq, kryetare e komisionit, u prit në takime të ndara nga Këshilli i pakicave kombëtare të Republikës së Kroacisë dhe përfaqësuesit e Zyrës për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në qeverinë kroate.
Gjatë takimit në Këshillin për pakica kombëtare, kryetari i tij, Aleksandar Tolnauer, e informoi delegacionin nga Kuvendi i Kosovës për përbërjen, përgjegjësitë dhe punën e këtij këshilli. Ai tha se ky këshill është i pavarur dhe në përbërjen e tij ka 20 anëtarë, prej të cilëve tetë janë deputetë të Parlamentit kroat, shtatë janë të deleguar nga pakicat kombëtare dhe pesë të tjerë nga shoqëria civile. Këshilli ka buxhetin e tij të veçantë, i cili shpenzohet për projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me pakicat. Ky organ, shtoi kryetari Tolnauer, nuk ka fuqi ekzekutive, mirëpo merr pjesë në të gjitha mbledhjet e qeverisë, në të cilat shqyrtohen tema me interes per komunitetet.
Në takimin me Zyrën për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave të Qeverisë së Kroacisë, komisioni u informua nga udhëheqësi i kësaj zyreje, Branko Socanac, lidhur me aktivitetin e saj, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Kroaci, konform planit shtetëror. Ai potencoi edhe bashkëpunimin me institucionet dhe organet e tjera të kësaj natyre, vendore e ndërkombëtare. Ai bëri të ditur se financimi bëhet në bazë të projekteve të ndryshme, kryesisht në sferën e punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve, mediave, të drejtave të pakicave, pastaj në kulturë, arsim etj., por gjithashtu, financohen edhe projekte të shoqërisë civile, të cilat janë në interes të pakicave. Gjatë vitit 2015, janë financuar 165 projekte të tilla, bëri të ditur Socanac.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga ana e tyre, theksuan se kjo vizitë dhe përvoja kroate në fushën e të drejtave të pakicave, paraqet një interes të veçantë për ta dhe Kosovën, duke pasur parasysh stadin e zhvillimit të Kroacisë dhe faktin e të qënit anëtar i Bashkimit Evropian.
Gjatë vizitës në Kroaci, anëtarët e delegacionit nga Kuvendi i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, u takuan edhe me kryetarin e këshillit serb në Kroaci, Milorad Pupovac.