Deputetët lobojnë për në Këshill të Evropës
Strasburg, 29 janar - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga deputetët, Enver Hoxhaj, Teuta Sahatqija dhe Glauk Konjufca, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasburg.
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pjesëmarrjes në punimet e sesionit, ka marrë pjesë edhe në mbledhje të komisioneve parlamentare të Këshillit të Evropës, siç ishte ajo e Komisionit për Çështje Politike të AP të Këshillit të Evropës, në të cilën në rend dite ishte tema: Situata në Kosovë dhe Roli i Këshillit të Evropës me raportues Agustin Conde nga Spanja.
Në fjalën e tij, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehu pakënaqësinë lidhur me prezantimin e anëtares së delegacionit të Serbisë, znj. Obradovic, në emër të Atit Sava nga Manastiri i Deçanit, i cili ishte ftuar po ashtu të merrte pjesë.
Kosova së fundi është fokusuar në ndërtimin e institucioneve pas zgjedhjeve dhe për këtë është model i krijimit të një shteti multietnik, ka thënë Hoxhaj në reagimin e tij.
Ai ka folur për progresin e Kosovës në aspektin e njohjes ndërkombëtare të saj, si dhe për anëtarësimin në rreth 40 organizata ndërkombëtare. Hoxhaj kërkoi mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës për anëtarësimin në këtë organizatë, në mënyrë që të drejtat e njeriut të promovohen edhe më shumë duke përdorur bazat dhe instrumentet e kësaj organizate në mënyrën e duhur. Kryetari i komisionit, Hoxhaj, theksoi gjithashtu, se dialogu i Kosovës me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy shteteve.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se pas negociatave të Brukselit, Serbia e ka centralizuar përfaqësimin politik serb brenda Kosovës përmes Listës Serbe, dhe si pasojë e kësaj, e ka rritur edhe më shumë kontrollin ndaj territoreve të banuara me serbë në Kosovë.
Beogradi zyrtar po e përdor këtë kontroll për ta penguar integrimin e pakicës serbe si dhe për ta cenuar sovranitetin e Kosovës. Beogradi zyrtar po ndërhyn drejtpërdrejt brenda Republikës së Kosovës përmes strukturave të saj shtetërore të cilat nuk po i shpërbën.
Rasti më i fundit është emërimi që Serbia ua ka bërë kryetarëve të rinj të pushteteve paralele komunale, ka thënë Konjufca. Sipas tij, Serbia po e aplikon praktikën e bashkimit të strukturave të saj ilegale,bashkë me ato të cilat po zgjedhen përmes ligjeve të Kosovës.
Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, i zgjedhur përmes ligjeve të Kosovës, bashkë me strukturat e Serbisë e vendosi barrikadën mbi urën e lumit Ibër, dhe kur u pyet nga mediat se pse po vepronte kështu, ai tha se e ka urdhëruar Beogradi të bënte kështu. Kjo tregon se përveç strukturave të paligjshme, Serbia po vazhdon ti instrumentalizojë edhe strukturat e zgjedhura përmes ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, ka thënë Konjufca.
Më tej, ai potencoi se në pjesën veriore të Kosovës Serbia e mban gjallë edhe strukturën e armatosur Mbrojtja Civile dhe se këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim me vlerat bazike të Këshillit të Evropës, siç janë respektimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Konjufca në fund nënvizoi se ministri i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq me deklaratën e tij fyese kundër nënave të personave të zhdukur, ka nxitur në Kosovë një reagim të gjithmbarshëm popullor.
Në fund raportuesi për Kosovën, z. Conde, u zotua që gjatë vitit 2015 do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin me qëllim që të sjell fakte të reja lidhur me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe integrimin e minoriteteve në Kosovë.
Për vizitën e tij në Prishtinë delegacioni i Kosovës ka shprehur mikpritjen e tyre për raportuesin dhe i kanë ofruar ndihmën e nevojshme me qëllim të informimit sa më të mirë dhe të saktë për zhvillimet në Kosovë.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar takime bilaterale me përfaqësues të delegacioneve të parlamenteve të vendeve anëtare në Këshillin e Evropës, si: Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës, Turqisë, Hungarisë, Bullgarisë, Suedisë, Finlandë, Lituanisë, Islandës dhe Portugalisë.
Në këto takime delegacioni i Kosovës ka kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në dhe në proceset që ndërlidhen me aplikimin në këtë organizatë.
Nesër priten të zhvillohen takime edhe me delegacionin e Armenisë dhe Italisë.