Danimarka është e gatshme të rrisë shpenzimet ushtarake
Kopenhagë, 17 nëntor - Danimarka është e gatshme të rrisë shpenzimet ushtarake, tha kryeministri Lars Lokke Rasmussen, pas bisedës që zhvilloi me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
Trump, gjatë fushatës, ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s, duke thënë se nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.
Danimarka shpenzon në mbrojtje rreth 1.2 përqind të prodhimit të saj ekonomik, ashtu si edhe shumë vende të tjera të NATO-s.
Por, kjo shifër është larg objektivit prej 2% të vendosur nga NATO-ja.
Rasmussen tha se qeveria e tij po përgatitet për rritjen e shpenzimeve për ushtrinë dhe sigurinë kombëtare.
Pas zgjedhjes së Trumpit, shenja të ngjashëm kanë dhënë edhe Polonia dhe vende të tjera të Evropës.