Daka lavdëron sistemin zgjedhor të Kosovës
Ankara, 22 nëntor - Delegacioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetarja Valdete Daka dhe anëtarët, Betim Gjoshi e Florian Dushi, me ftesë të Këshillit Suprem të Zgjedhjeve të Turqisë, mori pjesë në konferencën Administrimi dhe Mbikëqyrja e Zgjedhjeve në bazë të praktikave të vendit, që u mbajt në Ankara.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin zyrtarë zgjedhor nga trupat e administrimit të zgjedhjeve të vendeve si Shqipëria, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Sudani, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Maqedonia.
Qëllimi i konferencës ishte diskutimi dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare zgjedhore.
Në konferencën dy ditore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është prezantuar me referime mbi temat: Metodat e zgjidhjes dhe aplikimit për kontestet zgjedhore (juridiksioni zgjedhor); Mbikëqyrja e shpenzimeve të fushatës gjatë periudhës së fushatës zgjedhore; E drejta e votës krijimi i Listës së Votuesve dhe konfirmimi; dhe Administrimi i zgjedhjeve (publikimi i rezultateve të votimit).
Në fjalën hyrëse, kryetarja e KQZ-së, znj. Daka, fillimisht prezantoi një historik të shkurtër të formimit të shtetit të Kosovës dhe rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si institucion i pavarur, i përcaktuar me Kushtetutë.
Duke folur para pjesëmarrësve nga shtete të tjera, lidhur me atë se çfarë ka bërë KQZ-ja e Republikës së Kosovës për të përmbushur obligimin kushtetutes që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të mund të shprehin vullnetin e tyre, kryetarja Daka, përmendi shembullin se si Personat e Verbër dhe me të Pamur të Dobësuar mund të votojnë në ditën e zgjedhjeve, në vendvotimin e rregullt, në mënyrë të pavarur dhe duke ruajtur fshehtësinë e plotë të votës së tyre. Kjo bëhet e mundur përmes shabllonëve në alfabetin Brail.
Nga të pranishmit, kjo konferencë u vlerësua si një mundësi e mirë për të përmirësuar praktikat zgjedhore të vendeve pjesëmarrëse, të cilat mund të shërbejnë në të ardhmen.