Çollaku takohet me ish Presidentin Martti Ahtisaari
Helsiniki, 15 qershor - Në kuadër të vizitës zyrtare në Finlandë, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, është pritur sot në takim nga ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës Timo Soini.
Ministri Çollaku, ka falënderuar Ministrin Soini, për mbështetjen që Finlanda i ka ofruar në vazhdimësi Kosovës përmes asistencës financiare dhe projekteve zhvillimore, përkrahjes për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe për kontributin dhe prezencën në kuadër të misionit të KFOR-it dhe EULEX-it.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte thellimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Finlandës, mirëpo në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, bashkëpunimin rajonal dhe progresin e arritur në agjendën evropiane të vendit.
Gjatë takimit Ministri Çollaku e ka informuar shefin e diplomacisë finlandeze me progresin që Kosova ka shënuar në procesin e integrimit evropian, me fokus të veçantë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
Nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës z. Timo Soini, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën drejtë integrimit në BE si dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Gjatë ditës së sotme, ministri Çollaku është takuar edhe me ish të dërguarin e posaçëm të OKB-së në bisedimet për statusin final të Kosovës, ish Presidentin Martti Ahtisaari. Ministri Çollaku duke vlerësuar lartë kontributin dhe rolin domethënës në negociatat për statusin e Kosovës, informoi Presidentin Ahtisaari me të gjitha zhvillimet në vend duke nënvizuar se fal vizionit dhe punës se përbashkët të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar, Kosova me të drejtë konsiderohet si storie e suksesit në procesin e shtetndërtimit.