Çollaku bisedon për viza me komisionerin Hahn dhe Lunacekun
![Çollaku bisedon për viza me komisionerin Hahn dhe Lunacekun](https://ekonomia.info/repository/images/main/13_04_2016_4930052_br.jpg)
![Çollaku bisedon për viza me komisionerin Hahn dhe Lunacekun](https://ekonomia.info/repository/images/main/13_04_2016_7641385_2.jpg)
Strasburg 13 prill Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, gjatë vizitës së tij zyrtare në Strasburg, ka zhvilluar takime të ndara sot me komisionerin për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, Johannes Hahn si dhe zëvendëspresidenten e Parlamentin Evropian (PE) njëherësh raportuese për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek.
Temë diskutimi e këtyre takimeve ishte avancimi i agjendës evropiane të Kosovës dhe në veçanti përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët.
Gjatë takimeve ministri Çollaku nënvizoi se institucionet e Kosovës kanë përmbushur obligimet e përcaktuara për heqjen e vizave dhe se tani janë në pritje të një vendimi meritor nga ana e Institucioneve të BE-së.
Institucionet dhe qytetarët e Kosovës presin që në afat sa më të shpejtë të marrin rekomandimin pozitiv në mënyrë që sa më shpejtë të udhëtojnë pa viza në shtetet e Zonës Schengen. Kemi bërë një rrugëtim të gjatë në këtë proces dhe fal tij kemi arritur një sërë reformash të dobishme për vendin tonë. Megjithatë tani është koha që të prekim rezultatin final që do të vendoste vendin në pozite të njëjtë me të gjitha vendet fqinje dhe më gjerë.
Bazuar në punën e bërë jam i bindur që liberalizimi është shumë afër dhe tanimë është çështje që do të përmbyllet brenda pak muajsh, ka thënë ministri Çollaku.
Gjatë takimeve u diskutua edhe për hyrjen në fuqi dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Bashkëbiseduesit vlerësuan përpjekjet e përbashkëta të cilat sollën në nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të MSA-së duke nënvizuar nevojën e zbatimit të obligimeve dhe reformave të parapara brenda afateve të përcaktuara.