Charlie Hebdo del në shitje në 3 milionë kopje
Paris, 14 janar - Tre milionë kopje të revistës satirike franceze Charlie Hebdo, pritet që të dalin në shitje sot në mbarë botën, një javë pas sulmit në zyrat e revistës.
Faqja e parë e revistës tregon Muhammadin me çallmë, duke derdhur një lot të madh dhe duke mbajtur një shenjë që lexon Unë jam Charlie. (Je suis Charlie).
Charlie ka edhe më shumë miq tashmë, pretendon një letër në faqen e dytë të numrit të ri. Letra falënderon miliona mbështetësit të cilët janë vërtet në anën e gazetarëve, e që ndihen sinqerisht dhe thellësisht Charlie, duke i bërë një tjetër jehonë sloganit Unë jam Charlie, i cili është i gjithëpranishëm në kryeqytetin francez.
Një prej karikaturave të numrit të së mërkurës është i titulluar Ruani qetësinë dhe mbani gjallë Charlie-n, një rimodelim i shprehjes britanike Ruani qetësinë dhe vazhdoni në rrugën tuaj.
Edhe disa parizienë, të cilët përbuznin në të kaluarën pozicionet sekulariste të revistës dhe ndonjëherë edhe karikaturat e turpshme, kanë thënë se do të blejnë një kopje të këtij numri, si një reagim kundër akteve terroriste të javës së kaluar.
Shifrat e shitjes nuk mund të bëhen menjëherë të ditura, por disa kioska tregtare dhe stenda të shitjes së gazetave në Paris thuajse janë boshatisur që në orët e para të mëngjesit.
Kopertina e revistës është një ilustrim i Profetit Muhamed të përlotur, i cili mban në duar një parrullë Unë jam Charlie, të shoqëruar edhe me fjalët Gjithçka është falur tashmë.
Karikaturistët e Muhamedit janë tepër kontroversialë në botën muslimane. Portretizimet e Profetit në numrat e kaluar të revistës kanë qenë edhe motivi i agresorëve të masakrës së javës së kaluar.
Kopertina e re është pritur me emocione të përziera: disa muslimanë janë të fokusuar te e drejta e revistës për tu shprehur lirisht, ndërsa disa të tjerë kanë kritikuar atë si provokuese pa arsye dhe tepër ofensive.