Brukseli nxit hetimet për pretendimet e Dick Martyt
Bruksel, 8 maj - Bashkimi Evropian pret miratimin në Parlamentin e Shqipërisë të ligjit për marrëdhënie juridiksionale, i cili do të mundësojë hetimin e pretendimeve të senatorit zviceran Dick Marty, për trafikimin e organeve.
EULEX beson që projektligji i miratuar tashmë nga qeveria shqiptare do të jetë ndihmesë e madhe për zbardhjen e pretendimeve të Dick Martyt se ka pasur trafikim organesh gjatë kohës së luftës në Kosovë, shkruan Zëri.
Ky projektligj, i cili ka marrë bekimin e qeverisë dhe pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, u mundëson prokurorëve dhe hetuesve të Task-Forcës që pa asnjë pengesë ligjore të hetojnë në Shqipëri për të zbardhur të vërtetën e pretendimeve të Dick Marty.
Task Forca ka punuar ngushtë me autoritetet shqiptare për të finalizuar marrëveshjet ligjore për bashkëpunim. Ne e mirëpresim vendimin e Këshillit Shqiptar të Ministrave për të miratuar një ligj për bashkëpunim me Task Forcën dhe presim me padurim që ky ligj të miratohet në Parlamentin e Shqipërisë, thotë zëdhënësi i Task-Forcës hetimore për pretendimet e Dick Marty-t, Juri Lass.
Dick Marty, së fundi është ftuar si dëshmitar në rastin Medicus, rast ky i cili po zhvillohet në Prishtinë kundër mjekëve të një klinike private që akuzohen se kanë kryer në mënyrë ilegale transplantim të organeve.