Britania voton për sulmet kundër ISIS
Konservatorët, liberal-demokratët dhe laburistët e mbështesin të gjithë sulmet, të cilat sipas koalicionit janë ligjore sepse kërkoheshin nga qeveria irakene.
Në një intervistë për revistën politike The House, sekretari i Mbrojtjes Michael Fallon deklaroi se fushata mund të jetë një barrë që mund të zgjasë për dy ose tre vjet.
ISIS ka marrë nën kontroll zona të gjera në Irak dhe Siri në muajt e fundit. Megjithatë, qeveria britanike nuk ka propozuar një përfshirje në aksionet ushtarake në Siri.
Ditën e enjte, rreth 250 persona protestuan përpara Downing Street kundër mundësisë së pjesëmarrjes në operacionet ushtarake në Irak. Disa deputetë kundërshtuan madje aksionet.
Laburistët Diane Abbott, Jeremy Corbyn dhe John McDonnell firmosën një letër që u publikua në The Guardian, ku thuhet se bombardimet në Irak vetëm sa do të përkeqësojnë situatën.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të përjashtojë çdo aksion të mëtejshëm ushtarak në Irak ose Siri, thanë ata.
Dhoma e Përfaqësuesve është thirrur nga pushimet e saj 4-javore që nga mbajtja e referendumit të pavarësisë së Skocisë dhe partitë po bëhen gati të përballen me situatën e re. Kryeministri David Cameron do të hapë debatin në Parlament, që pritet të zgjasë të paktën shtatë orë.
Qeverisë nuk i duhet aprovimi i deputetëve që të fillojë sulmet ushtarake, por është bërë zakon që një mbledhje e tillë të bëhet që nga lufta e vitit 2003 në Irak.