Britania nxjerr planin zyrtar të shkëputjes nga BE-ja
Londër, 3 shkurt - Britania e Madhe hodhi një hap të ri për shkëputjen e saj nga Bashkimi Europian të enjten, pasi qeveria nxori një dokument udhërrëfyes që thekson realizimin e një \"Brexit\" të qëndrueshëm dhe të rregullt.
Dokumenti me 77 faqe radhit 12 parime thelbësore për \"Brexit\" ndërsa sqarohet më tej me hollësi edhe fjalimi i kryeministres Theresa May i mbajtur më 17 janar.
Në fushën tregtare, sipas dokumentit, Britania do të dalë nga tregu i përbashkët dhe bashkimi doganor, por do të kërkojë të ndërtojë një marrëdhënie partneriteti strategjik të ri me BE-në.
Në lidhje me emigracionin, Britania do të përdorë një sistem të ri për të kontrolluar emigrantët nga BE-ja, ndërsa zotohet të mbrojë të drejtat e shtetasve të BE-së në Britani dhe të drejtat e britanikëve në BE.
Në fushën e drejtësisë, Britania do të dalë nga juridiksioni i Gjykatës Europiane, ndërsa do të kërkojë një sistem të ri për zgjidhjen e konflikteve tregtare dhe do të bashkëpunojë me BE-në për goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Qeveria britanike do të fillojë zyrtarisht procesin e shkëputjes në mars të këtij viti.