Britania do të ndihmojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare
Londër, 17 shtator - Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe, u takua sot me ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi ministrin Lidington për fuqizimin dhe konsolidimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu theksoi avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, duke përmendur punën e madhe që po bëhet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, UEFA, FIFA, Interpol, etj.
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi theksoi edhe angazhimin e Kosovës për të vendosur dialog politik me NATO-n.
Ministri për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, përgëzoi Republikën e Kosovës për vendimet e vështira, por të drejta dhe të guximshme që ka marrë kohët e fundit.
Ministri Lidington po ashtu theksoi përkrahjen, si dhe inkurajimin e vendeve tjera që të përkrahin anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit, po ashtu, ka theksuar rëndësinë e avancimit të proceseve eurointegruese të Kosovës.
Republika e Kosovës është në rrugë të drejtë. Bashkimi Evropian të mos vonohet me ne dhe të na trajtojë njëjtë sikur vendet tjera të rajonit, theksoi zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Gjatë vizitës zyrtare në Londër, zëvendëskryeministri Thaçi ka zhvilluar takime me përfaqësues shtetëror të Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësues të Parlamentit, të shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve dhe të mediave.