Britana fillon hetimet rreth dukurisë së lajmeve të rreme
Londër, 31 janar - Në Britani, një komision parlamentar ka filluar hetimet rreth dukurisë së lajmeve të rreme.
Komisioni i Kulturës, Medias dhe Sportit do të studiojë \"përhapjen e gjerë që kanë lajmet e rreme përmes mediave sociale dhe internetit. Kryetari i Komisionit, Damian Collins tha se kjo prirje është \"kërcënim për demokracinë\" dhe minon besimin e publikut tek media.
Ai u kërkoi kompanive të mëdha të teknologjisë të bëjnë më shumë për të parandaluar përhapjen e lajmeve të rreme në platformat e tyre.
Prezantuesi i televizionit britanik, Dave Benson Phillips u bë viktimë e një lajmi të rremë. Sipas këtij lajmi, ai humbi jetën në një aksident rrugor dhe njoftimi i rremë u shpërnda me mijëra herë në internet.