Bosnja refuzon Kosovën pjesë të Adriatikut
Gjatë takimit të A5-s, sërish pala serbe bëri një veprim aspak të denjë. Gjatë kohës kur në sallë filloi të flitej për anëtarësimin e Kosovës, përfaqësuesi i Serbisë ishte ngritur nga karrigia dhe ishte larguar. Siç informoi dhe ministri Bushati, pavarësisht se aplikimi i Kosovës për anëtarësimin u miratua nga të gjitha vendet, përfshirë edhe SHBA-në, Bosnjë-Hercegovina votoi kundër. Në këtë mënyrë, Kosova dhe Serbia do të jenë vëzhguese dhe jo partnere.
Në deklaratën e tij, kreu i diplomacisë shqiptare nuk bëri komente lidhur me ndikimin e Serbisë ndaj Bosnjës. Bushati theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës, për sigurinë e të gjithë rajonit.
Përfaqësimi i Serbisë dhe largimi i saj nga salla, është një qëndrim i palës serbe, unë jam i mandatuar për të artikuluar interesat e Shqipërisë. E thënë troç do të dëshironim gjithëpërfshirje në këtë nismë, e cila konsiderohet si paradhomë për anëtarësimin në NATO. Sa më shpejt ta ndajnë mendjen vendet e rajonit, aq më mirë do jetë për rajonin që mos të krijojmë boshllëqe nga pikëpamja e sigurisë, u shpreh Bushati.
Nga ana tjetër ministri theksoi se, Shqipëria do të jetë krah Kosovës, për të mbështetur sa më shpejt anëtarësimin e saj.
Kosova kishte dorëzuar një aplikim formal, i cili u miratua nga të gjithë vendet pjesëmarrëse, përfshirë SHBA-në, por pala boshnjake duket se kishte probleme me këtë anëtarësim. Ne do të donim të ishte partnere dhe jo vëzhguese, por kjo nuk e pengon Kosovën në tryezën e A5-s. Ajo do të vazhdojë me reformat në fushën e sigurisë dhe të shtetit, si dhe do të kemi bashkëpunim në fushën e sigurisë. Nuk më takon mua për të mbrojtur interesat e Kosovës, pasi unë mbroj të Shqipërisë. Lidhur me qëndrimin mendoj se, ishte nga faktet e njohura që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës, subjektivitetin juridik ndërkombëtar për njohjen e saj, deklaroi ministri i Jashtëm.