Bora bllokon shumë zona në Shqipëri
Tiranë, 31 dhjetor - Reshjet e dëborës kanë vijuar edhe gjatë natës së shkuar në disa zona të Shqipërisë, duke vështirësuar edhe më tej gjendjen në rrugët e vendit.
Policia e Shtetit ka njoftuar sot gjendjen e rrugëve në disa akse të vendit pas reshjeve të dendura të dëborës, natën e kaluar.
Kështu Qafa e Llogarasë është bllokuar e tëra dhe është e pakalueshme, ndërsa autoritet kanë nisur hapjen e rrugës me borëpastruese.
Gjithashtu edhe aksi rrugor Qafë Mali Bajram Curri vijon të mbetet i pakalueshëm prej tre ditësh dhe reshjet e fundit të dëborës e kanë rënduar më tepër situatën.
Pjesa më e madhe e komunave të Pukës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora e dendur që ka ndërprerë qarkullimin e makinave, por edhe furnizimin e tyre me energji elektrike. Fshatrat Iballë, Fierzë dhe Blerim janë pa energji që prej së shtunës, për shkak të rrëzimit të shtyllave.
Në dy akset e tjerë, Qafë Mali Kukës dhe Qafë Qelë Pukë Fushë Arrëz, qarkullimi mund të bëhet me zinxhirë.
Policia e Shtetit ka njoftuar që makinat e tonazhit të rëndë e kanë të pamundur të kalojnë në këto rrugë.