Berisha: Krijimi i ushtrisë së Kosovës i shërben paqes në rajon
Prishtinë, 18 maj - Ministrja për Dialog, Edita Tahiri në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë, dje në orët e pas ditës u takua me ish Kryeministrin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha.
Gjatë këtij takimi shumë miqësor, ministrja Tahiri vlerësoi lartë personalitetin e Dr. Sali Berishës si lider historik i ndryshimeve demokratike në Shqipëri, si dhe bisedoi për zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, ku ndër të tjerash theksoi progresin e madh në rrugën e integrimeve euroatlantike, marrjen e MSA-së dhe liberalizimin e vizave.
Ajo në veçanti u angazhua që të dyja shtetet të rrisin bashkëpunimin për çështjet e interesit kombëtarë.
Krijimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës është një prioritet kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilën do ta rrumbullakojmë këtë vit, theksoi ministrja Tahiri, duke kërkuar që përvoja e Shqipërisë në këtë drejtim ti vihet në dispozicion Kosovës.
Ajo po ashtu tha se këmbimi i përvojave e përshpejton rrugën e Kosovës për integrim në BE, NATO dhe OKB, si dhe me ketë rast vlerësoi integrimin e sportit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit dhe angazhimi i Kosovës në këtë proces kontribuoi dukshëm në arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së që edhe juridikisht e futi Kosovën në procesin e integrimit evropian si dhe kontribuojë edhe në liberalizimin e vizave.
Nga ana e tij, ish kryeministri Berisha, theksoi se në vazhdimësi ndjekë zhvillimet në Kosovë dhe vlerësoi progresin e arritur deri tani, duke i cilësuar si arritje të mëdha Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA.
Ai potencoi se stabiliteti politik në Kosovë dhe forcimi i sundimit të ligjit janë kushte të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe shtoi se veprimet e dhunshme të kohëve të fundit në Parlament kanë qenë të dëmshme për Kosovën.
Berisha theksoi se krijimi i ushtrisë së Kosovës i shërben paqes, stabilitetit në rajon dhe integrimit euroatlantik të Kosovës. Ish kryeministri Berisha potencoi në mënyrë të veçantë se të dy vendet duhet ta bëjnë prioritet fizibilitetin kombëtar në çdo projekt dhe duhet të shtyjnë përpara proceset e përbashkëta për fuqizimin e mëtejmë të kombit shqiptarë.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për rëndësinë e bashkëveprimit strategjik për fuqizimin e kombit shqiptarë si dhe të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë, siç është aleanca me SHBA-të, NATO-në dhe anëtarësimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
Ministrja Tahiri në këtë takim ishte e shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Tiranë, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci, këshilltar politikë të ministres Tahiri.