BE sheh ngecje në zbatimin e marrëveshjeve Kosovë - Serbi
Bruksel, 13 maj - Kur u takuan në prill, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, ata pranuan pas takimit se nuk ka pasur rezultate konkrete, porse ka përparim në dialog.
Të dytë patën paralajmëruar se që në fillim të muajit maj do të ketë një takim të radhës, ku do të arriheshin marrëveshje konkrete.
Por tashmë jemi në mesin e majit dhe jo vetëm se nuk ka pasur takim tjetër, por nga BE-ja kanë thënë qartë se as nuk do të ketë më takim këtë muaj dhe, vetëm nëse ka përparim në punën e grupeve punuese, një takim i radhës në nivelin e lartë politik do të mund të zhvillohet në qershor, shkruan sot Koha Ditore.
Një takim i përshpejtuar, pa përgatitje të duhura për rezultate konkrete, do të ishte i pakuptimtë në situatën kur nuk ka përparim të duhur në zbatimin e marrëveshjeve, mendojnë në BE.
Ndërkohë, sipas burimeve diplomatike evropiane, nuk është zhvilluar takimi i grupeve punuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pikërisht kjo çështje nga Beogradi përdoret për të kritikuar palën kosovare, apo, siç thonë ata Prishtinën, për mungesë të rezultateve në zbatimin e marrëveshjes.
Edhe një pjesë e mirë e diplomatëve evropianë tërheqin vërejtjen se zotimet që ka marrë ish- kryeministri Hashim Thaçi për krijimin e kësaj Bashkësie/Asociacioni duhet të zbatohen sa më parë.
/Koha Ditore/