BE pret që vetë kosovarët të zgjidhin lëmshin institucional
Bruksel, 20 gusht - Nëse gjykohet në bazë të deklaratave zyrtare, atëherë mund të konstatohet se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimet e Bashkimit Evropian rreth problemeve paszgjedhore në Kosovë.
Siç i tha të martën Kohës Ditore Peter Stano, zëdhënës për Zgjerim në Komisionin Evropian, krijimi i institucioneve të Kosovës është një çështje të cilën e kanë në duar vetë liderët politikë në Kosovë dhe BE-ja nuk do të përzihet se çfarë duhet apo çfarë nuk duhet bërë.
Që nga përfundimi i procesit zgjedhor zyrtarisht Bashkimi Evropian ka mbajtur këtë qëndrim, ndërsa vetëm ka porositur parimisht se do të ishte mirë që sa më parë të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të vazhdohet dialogu me Serbinë sikur edhe disa procese të tjera në të cilat Kosova është e përfshirë në raportet me Bashkimin Evropian.
/Koha Ditore/