BE me mekanizëm për pezullimin e liberalizimit të vizave
Prishtinë, 21 maj - Ka mjaft shtete që ende vazhdojnë të jenë skeptike rreth mundësisë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kjo, sipas burimeve diplomatike, është parë qartë edhe gjatë debatit të parë në Këshillin e Bashkimit Evropian, të zhvilluar në Bruksel nga ministrat e brendshëm të vendeve anëtare, të premten, në Bruksel.
Shqetësimet kryesore rreth Kosovës, pohojnë burimet që kanë ndjekur diskutimet e ministrave, janë të lidhura me nivelin e lartë të refuzimit të vizave, potencialin e lartë të rrezikut të migrimit masiv nga Kosova, radikalizmit fetar dhe proporcionalitetit të lartë të pjesëmarrësve shqipfolës në grupet e krimit të organizuar në Evropë, që për shumë krime shfrytëzojnë pikërisht Kosovën si transit.
Për të qetësuar vendet anëtare, Brukseli po përgatit një mekanizëm që do të lejonte pezullimin e vizave me ndonjë prej 60 vendeve që kanë marrëveshje të tilla, mes të cilave edhe Kosova e Shqipëria.
Plani i miratuar nga 28 ministrat e Brendshëm të BE, gëzon edhe mbështetjen e Parlamentit Europian, i cili gjithashtu duhet të thotë fjalën e tij lidhur me çështjen.
E megjithatë, ministri i Emigracionit të Holandës, Klaas Dijkhoff, vend i cili mban presidencën e radhës së bllokut, ndërsa përmendi avantazhet nga liberalizimi i vizave theksoi se nuk mund të abuzohet me këtë të drejtë.
Liberalizimi i vizave ka avantazhe të mëdha për BE-në dhe vendet e treta. Ne duhet te sigurohemi që mos të abuzohet me liberalizimin. Jam shumë i kënaqur që ramë dakord mbi një mekanizëm që do të na e bënte më të lehtë të vepronim në rast shkeljesh, u shpreh Dijkhoff.
Përveç Turqisë, BE po konsideron heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës, Ukrainës, e Gjeorgjisë. Por, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere theksoi se BE-ja nuk duhet të garantojë liberalizmin për vende të tjera deri sa mekanizmi për pezullimin e kësaj të drejte të hyjë në fuqi.