BE mban takim urgjent pas fitores së Donald Trump
Londër, 14 nëntor - Ministrat e jashtëm të Britanisë dhe Francës nuk do të marrin pjesë në bisedimet e posaçme të sotshme të BE-së për të diskutuar se si do të ndërveprohet me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, organizoi takimin e emergjencës në Bruksel pas fitores befasuese të zotit Trump, duke marrë shkak nga politikat e deklaruara që ngrenë pikëpyetje rreth angazhimit të Uashingtonit në Evropë.
Zëdhënësi i Zyrës së Jashtme britanike njoftoi se Boris Johnson nuk do të shkojë në këtë takim, por se do të marrë pjesë në takimin e rregullt të së hënës të Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë.
Zëdhënësi tha se: Nuk shohim nevojën për një takim të shtuar sot, ndërkohë që kalendari për zhvillimin e zgjedhjeve amerikane ka qenë i paracaktuar prej kohësh. Ka ndodhur një gjest i demokracisë; ka një periudhë tranzicioni dhe ne do të punojmë me administratën e tanishme dhe atë të ardhshme për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm për Britaninë.
Pas fitores së tij, zoti Trump bisedoi me Kryeministren britanike Theresa May, zëdhënësi i së cilës tha se ishte rënë dakort që marrëdhënia ndërmjet Londrës dhe Uashingtonit është tepër e rëndësishme dhe tepër e veçantë dhe se ndërtimi i mëtejshëm i saj do të jetë prioritet i të dyve.
Ndërkohë, agjensia franceze e lajmeve njoftoi se ministri i jashtëm Jean-Marc Ayrault do të mungojë për arsye axhende.