BE: Marrëveshja për Lëvizje të lirë ende spo zbatohet
Bruksel, 8 korrik - Marrëveshja për Lëvizje të Lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mos gjejë zbatim nga ana e shtetit serb.
Ata edhe më tej po refuzojnë të lëshojnë qytetarë nga Kosova për të kaluar kufirin me Serbinë vetëm me anë të letërnjoftimeve.
Në pyetjen drejtuar nga KosovaPress për zëdhënësen e Përfaqësueses së Lartë Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Maja Kocijançiq, se a ka marrë ndonjë vërejtje deri më tani pala serbe për moszbatim, Kocijançiq është përgjigjur se procesi është në zhvillim e sipër.
Ajo ka konfirmuar për KosovaPress se takimi i radhës në nivel ekspertësh për këtë çështje do të mbahet pas pushimeve të verës.
Zbatimi i Marrëveshjes për lëvizje të Lirë është një proces qe është ende në zhvillim e sipër. Takimi i radhës (në nivel ekspertësh) do të planifikohen pas pushimeve të verës, në shtator, ka qenë përgjigjja e Kocijançiq.
Ajo po ashtu ka sqaruar edhe njëherë se pas Marrëveshjes për lëvizje të Lirë, banorët e secilës palë mund të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të palës tjetër, duke përdorur letërnj oftimet e tyre. letërnjoftimi do të shoqërohet nga një dokument me shkrim \"hyrje/dalje\" për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë përmes një vendi të tretë.
Kocijançiq është shprehur se asnjëra palë nuk mund të anashkalojë këtë Marrëveshje.
Këto rregulla janë pjesë përbërëse e Marrëveshjes për lëvizje të Lirë. Asnjë detyrim nuk mund të anashkalohet nga ajo Marrëveshje qe të dy palët kanë për të hequr dokumentin \"hyrje / dalje\", është përgjigjur Kocijançiq.
Ndryshe Kosova së fundi në dialogun teknik me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka nënshkruar Marrëveshjen për Policat Kufitare, marrëveshje kjo që është thënë se do të fillojë së zbatuari që nga 12 gushti i këtij viti.
/rtk/