BE kërkon që bisedimet Kosovë - Serbi të nisin sa më parë
Bruksel, 6 gusht - Janë duke u zhvilluar konsultimet e Brukselit për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Po bëjmë çmos që dialogu sa më parë të nisë, ka deklaruar Maja Kociançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së Catherine Ashton, shkruan Blic i Beogradit.
Siç ka thënë për mediat serbe zëdhënësja e Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e BEsë ditë më parë ka biseduar me kryeministrin serb Ivica Daçiq dhe me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi . Por ajo nuk ka saktësuar se kur do të caktohet raundi i ri i dialogut.
Puna në raportin ka nisur , por meqenëse deri atëherë do të ketë edhe më kontakte, deri në momentin e fundit do të presim të shohim të gjitha informacionet për progresin në mënyrë që raporti të prezantojë realisht gjendjen e fundit, ka thënë Kociançiç.
Ajo ka shtuar se Catherine Ashton ka theksuar se është me rëndësi që të dyja palët, edhe Beogradi edhe Prishtina, plotësisht të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura me dialog.