BE kërkon dorëheqjen e Gruevskit
Bruksel, 19 maj - Ministrat e jashtëm të BE-së diskutuan në mënyrë informale dje mbi situatën e përkeqësuar në Maqedoni. Burime brenda Komisionit Evropian, thonë se ministrat e Jashtëm të BE-së i kanë kërkuar dorëheqjen kryeministrit Gruevski, por ky i fundit ka refuzuar.
Ministrja kroate, Pushiç deklaroi se BE-ja është shumë e shqetësuar për situatën në Maqedoni dhe se aktualisht mendohet të jetë pika më e ndjeshme në rajon, mes vendeve joanëtare të Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak tha se deri tani nuk ka një kërkesë të drejtpërdrejtë publike për dorëheqjen e Gruevskit. Vendi ka thyer normat evropiane dhe kjo situatë ishte sinjalizuar nga bojkoti i opozitës e publikimi i përgjimeve, tha ai.
Ndërkohë që në nisje të takimit të përbashkët me Këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, deklaroi se aleanca po e ndjek nga afër situatën, përmes zyrës në Shkup.