BE emëron ekspertë për hetimin e UELEX-it
Bruksel, 5 nëntor - Shefja e Politikës së Jashtme në Bashkimin Evropian, Federika Mogherini, tha të martën në Bruksel se do të emërojë një ekspert të pavarur ligjor për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, pas shkeljeve të fundit që kanë dalë në dritë në të.
Gjithashtu ky ekspert ligjor bashkë me një ekip të specializuar do të hetojë edhe dyshimet për korrupsion në këtë mision.
Në një konferencë për mediat në Bruksel së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ajo tha se emri i ekspertit do të publikohet gjatë ditëve të vazhdim.
Prej dy javësh mediat në Kosovë kanë publikuar një seri shkrimesh për një aferë korrupsioni që ka përfshirë zyrtarë të EULEX-it. Konkretisht thuhet se disa zyrtarë me pushtet të këtij misioni kanë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale, përfshirë këtu edhe një rast vrasjeje të trefishtë.
Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces hetimor administrativ.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, ka kërkuar që çështja të hetohet me transparencë të plotë dhe në mënyrën që do të ruajë besueshmërinë e misionit.
Zyrtarët e EULEX-it thanë se dyshimet e hedhura nga zonja Bamieh, janë shqyrtuar në tërësi që nga viti 2013. Ajo ka hedhur dyshime se gjykatësi i këtij misioni Francesco Flori, ka marrë 300 mijë euro për të hedhur poshtë akuzat për vrasje. Gjykatësi Flori ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa Bashkimi Evropian i ka hequr pjesërisht imunitetin zotit Flori për të mundësuar përparimin e hetimeve.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit, krerët e misionit besojnë se nuk do të dëmtohet imazhi e as besimi i EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.
Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe ka të drejt të trajtojë edhe krimet e luftës, krimin e organizuar dhe korrupsionin.